E diela në Kosovë do të karakterizohet nga mot i ftohtë dhe mjegull në shumë zona, veçanërisht në ultësira dhe lugina. Ndryshe paraqitet situata në viset me lartësi më të madhe mbidetare, ku priten intervale me diell dhe temperatura disi më të buta. Rreth mesditës, kthjellime të shkurtra mund të shfaqen edhe në disa rajone të tjera të vendit.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë deri në 7 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, e diela sjell mot kryesisht stabil, me intervale kohore me diell, mjegull dhe vranësira lokale. Kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme, nën ndikimin e masave ajrore anticiklonike.

