Policia e Kosovës ka testuar kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, në kuadër të funksionalizimit të Drejtorisë së Mbrojtjes Ajrore, e cila është themeluar dy vjet më parë.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se kjo drejtori përfshin njësi të specializuara dron dhe antidron, të cilat përbëjnë komponentë kyç në sigurinë ajrore të vendit. Testimi u realizua duke u mbështetur ekskluzivisht në kapacitetet e brendshme të Policisë së Kosovës, duke dëshmuar gatishmëri dhe profesionalizëm operacional.
Kurti falënderoi zyrtarët policorë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se mbështetja institucionale për zhvillimin dhe fuqizimin e këtyre kapaciteteve do të jetë e vazhdueshme.
Krijimi i Drejtorisë së Mbrojtjes Ajrore dhe avancimi i teknologjisë së dronëve shihet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë kombëtare dhe përafrimit me standardet moderne të mbrojtjes.


