Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “deklarim i rremë nën betim”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka nisur në qershor të vitit 2025, kur një mashkull kosovar, në cilësinë e ankuesit, kishte raportuar se disa persona zyrtarë po i kërkonin ryshfet me qëllim të bartjes së aksioneve në pronësinë e tij, të cilat ai pretendonte se i kishte blerë nga bashkëaksionarët.
Pas pranimit të informacionit, Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë dhe me autorizim të prokurorit kompetent, ka ndërmarrë veprime hetimore. Gjatë këtyre hetimeve janë siguruar dëshmi që, sipas policisë, tregojnë se ankuesi dyshohet se ka dhënë deklarata të rreme lidhur me rastin.
Bazuar në këto gjetje, autoritetet konstatuan se i dyshuari ka konsumuar elementet e veprës penale “Deklarimi i rremë nën betim”.
Më 22 dhjetor 2025, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me aktvendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të procedurave ligjore.

