Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, është zotuar se do të mbrojë me vendosmëri territorin dhe ujërat territoriale japoneze, në një kohë kur tensionet mes Tokios dhe Pekinit po rriten ndjeshëm, veçanërisht për shkak të çështjes së Tajvanit.
Në një deklaratë të lëshuar të martën nga zyra e saj, Takaichi theksoi se situata e sigurisë në zonat detare përreth Japonisë po përkeqësohet. “Mjedisi i sigurisë në zonat detare përreth Japonisë po bëhet gjithnjë e më i rëndë”, tha ajo.
Kryeministrja bëri të ditur se Këshilli Ministror për Sigurinë Detare ka konfirmuar angazhimin për forcimin e mbrojtjes së territorit dhe ujërave territoriale të Japonisë, rritjen e kapaciteteve të anijeve të mëdha patrulluese, përmirësimin e bashkëpunimit mes Rojës Bregdetare dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për oficerët e Rojës Bregdetare.
Deklaratat e saj vijnë pas pretendimeve të Tokios në fillim të dhjetorit, sipas të cilave avionë luftarakë kinezë J-15 nga aeroplanmbajtësja Liaoning kishin bllokuar radarët e dy avionëve japonezë F-15 mbi det të hapur, në juglindje të Okinawas. Nga ana tjetër, China i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar manovrat si “profesionale dhe të sigurta”, dhe duke theksuar se aktivizimi i radarëve gjatë stërvitjeve është praktikë e zakonshme.
Tensionet mes Japonisë dhe Kinës janë përshkallëzuar që prej 7 nëntorit, kur Takaichi deklaroi se një sulm kinez ndaj Taiwan mund të përbënte ligjërisht një “situatë kërcënuese për mbijetesën”, çka do t’i lejonte Japonisë të ushtronte të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive.
Këto komente shkaktuan reagim të ashpër nga Pekini, i cili këshilloi qytetarët e tij kundër udhëtimeve në Japoni dhe rivendosi ndalimin e importeve të produkteve të detit nga Japonia, si pjesë e masave ndëshkuese diplomatike.

