Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjatë meshës së Krishtlindjes ka përcjellë një mesazh të fuqishëm për paqe, harmoni dhe përgjegjësi qytetare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë situatës politike në vend në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në porosinë e tij, Ipeshkvi Gjergji u bëri thirrje politikanëve dhe qytetarëve që vendimet e tyre t’i bazojnë në ndërgjegje dhe në të mirën e përbashkët, duke theksuar se pjesëmarrja e vetëdijshme në zgjedhje është kyçe për stabilitetin politik, përshpejtimin e integrimit evropian dhe ruajtjen e vlerave bazike të shoqërisë kosovare.
“Ndjej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm dhe të marrim vendime sipas ndërgjegjes, duke kryer obligimin qytetar. Vetëm kështu mund të kontribuojmë që vendi ynë të ketë stabilitet të qëndrueshëm politik, të ecë më shpejt drejt familjes evropiane dhe të ruajë vlerat themelore të shoqërisë sonë,” u shpreh ai.
Ipeshkvi i Kosovës foli edhe për gjendjen globale, duke paralajmëruar se bota po përballet me pasoja të rënda për shkak të mungesës së dashurisë, arsyes dhe drejtësisë në vendimmarrje.
“Sot bota po përballet me frikën e shkatërrimit, sepse ka mbetur pa dashuri, po flet me gjuhën e urrejtjes dhe po merr vendime sipas interesave të të fortëve e jo sipas drejtësisë. Kjo mënyrë e të menduarit po merr jetë njerëzish anekënd botës dhe po thellon padrejtësinë e varfërinë,” theksoi Gjergji.
Sipas tij, kjo situatë ka plagosur rëndë ndërgjegjen morale dhe politike të shoqërive moderne dhe po shkatërron shpresën e brezave të rinj për një të ardhme me paqe dhe dashuri.
Ai nënvizoi se edhe gjendja e brendshme në vend kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi të përbashkët, duke theksuar se askush nuk është plotësisht i pafajshëm për realitetin aktual.
“Për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe një të ardhme më të qëndrueshme, duhet angazhim qytetar, ndjenjë përgjegjësie dhe gatishmëri për të restauruar gjendjen që po e lëmë pas,” tha Ipeshkvi i Kosovës.
Mesazhi i Krishtlindjes i Imzot Dodë Gjergjit u përmbyll me thirrjen për paqe, dashuri dhe bashkëjetesë, duke ftuar qytetarët që festën ta shndërrojnë në një moment reflektimi dhe veprimi të përgjegjshëm për të ardhmen e vendit.

