Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore vdekjeprurëse kundër grupit terrorist ISIS në Nigerinë veriperëndimore, ka bërë të ditur presidenti amerikan Donald Trump, duke theksuar se operacioni u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet nigeriane.
Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se ushtria amerikane ka “ekzekutuar sulme të shumta perfekte” ndaj objektivave të ISIS-it, të cilin e cilësoi si “llum terroristësh”. Ai e akuzoi grupin për “shënjestërimin dhe vrasjen mizore, kryesisht, të të krishterëve të pafajshëm”, duke shtuar se SHBA nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë.
Më vonë, United States Africa Command (AFRICOM) konfirmoi se sulmi i së enjtes u krye në koordinim me forcat e Nigerisë, në rajonin e Sokotos. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni kishte për qëllim goditjen precize të objektivave terroriste në veriperëndim të vendit.
Edhe qeveria nigeriane reagoi, duke deklaruar se mbetet e angazhuar në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. “Kjo ka çuar në goditje ajrore të sakta ndaj objektivave terroriste në Nigeri”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Nigerisë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me autoritetet nigeriane, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në luftën kundër terrorizmit në Afrikë.
Megjithatë, disa organizata ndërkombëtare kundër dhunës theksojnë se nuk ka prova të qarta që në Nigeri të krishterët të jenë më të shënjestruar se myslimanët, në një vend që është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë mes dy feve.
Sulmi në Nigeri vjen vetëm një javë pas një operacioni tjetër masiv amerikan kundër ISIS-it në Siri, ku, sipas United States Central Command (CENTCOM), avionë luftarakë, helikopterë dhe artileri goditën mbi 70 objektiva terroriste në Siri qendrore, me mbështetje edhe nga avionë të Jordanisë.
Administrata amerikane ka bërë të qartë se lufta kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera militante islamike mbetet prioritet, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Afrikë, duke paralajmëruar se operacione të ngjashme mund të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

