Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat më të fundit për sektorin bankar, duke treguar se asetet e bankave komerciale kanë pësuar rënie, ndërsa kreditë dhe depozitat kanë vazhduar trendin rritës gjatë muajit nëntor 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, asetet totale të bankave komerciale në fund të nëntorit 2025 arritën në 9.22 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej 1.23 për qind krahasuar me muajin paraprak.
Në anën tjetër, kreditë bruto shënuan rritje, duke arritur vlerën 6.55 miliardë euro, apo 54.49 milionë euro më shumë (+0.84%) krahasuar me tetorin. Vetëm gjatë muajit nëntor, vlera e kredive të reja të lëshuara ishte 203.75 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e reja u regjistrua në 6.69 për qind.
Edhe depozitat e klientëve kanë vazhduar rritjen, duke arritur në 7.39 miliardë euro, me një shtesë prej 33 milionë eurosh (+0.45%) krahasuar me muajin paraprak. Në nëntor 2025, depozitat e reja arritën vlerën 79.62 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit për depozita të reja ishte 3.08 për qind.
BQK bën të ditur se margjina e normës së interesit ndërmjet kredive dhe depozitave ishte 3.61 për qind, ndërsa raporti kredi–depozita u regjistrua në nivelin 88.71 për qind, duke reflektuar një aktivitet të lartë kreditues në sistemin bankar.
Sa i përket kapitalit, kapitali i përgjithshëm i bankave komerciale në fund të nëntorit 2025 arriti në 1.12 miliardë euro. Ndërkohë, provizionet për kredi u rritën për 1.60 për qind, duke arritur vlerën 153.69 milionë euro.
Të dhënat e fundit tregojnë se, pavarësisht luhatjeve mujore në asete, sektori bankar në Kosovë mbetet stabil, me rritje të vazhdueshme të kreditimit dhe kursimeve të qytetarëve.

