Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në takim pjesëtarët e Operacioneve Speciale të FSK-së, të cilët kanë përfunduar me sukses një trajnim intensiv dhe sfidues në xhunglat tropikale të Belize.
Trajnimi u realizua në kuadër të programit përgatitor për operime në mjedise të vështira dhe komplekse, në bashkëpunim me njësitë parashutiste të British Army. Qëllimi kryesor ishte zhvillimi i aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe veprim efektiv në kushte ekstreme operative.
Gjatë stërvitjes, pjesëtarët e Operacioneve Speciale u përballën me terren jashtëzakonisht të dendur, klimë të ashpër tropikale dhe lodhje të vazhdueshme fizike e mendore – faktorë që testojnë kufijtë e përgatitjes ushtarake dhe disiplinës profesionale.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Jashari i përgëzoi pjesëtarët për përkushtimin dhe suksesin e treguar, duke theksuar se trajnime të tilla janë thelbësore për ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe përgatitjen e saj për misione në çdo mjedis dhe rrethanë.
Sipas FSK-së, ky aktivitet ka përforcuar ndjeshëm disiplinën, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin brenda njësive elitare, duke dëshmuar aftësinë e tyre për të vepruar me profesionalizëm, vendosmëri dhe standarde të larta ndërkombëtare.
Trajnimet e përbashkëta me partnerë strategjikë ndërkombëtarë konsiderohen një hap i rëndësishëm në forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në avancimin e saj drejt strukturave moderne të sigurisë dhe mbrojtjes.
