Bombarduesi strategjik amerikan B-2 Spirit, i njohur si një nga avionët më të avancuar dhe më të fshehtë në botë, ka pasur një kundërshtar të papritur ndër vite: shiun dhe lagështinë.
Raporte zyrtare të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit (GAO) tregojnë se materialet që i japin B-2 aftësinë për t’iu shmangur radarëve janë shumë të ndjeshme ndaj ujit. Ekspozimi ndaj shiut dhe lagështisë dëmton shtresat e “low observable”, duke ulur fshehtësinë dhe duke rritur ndjeshëm nevojën për mirëmbajtje.
Sipas dokumenteve, dizajni i avionit lejon grumbullimin e ujit në ndarje, kanale dhe valvula, çka mund të shkaktojë keqfunksionim të sistemeve. Në kushte të caktuara, nëse uji ngrin, duhen deri në 24 orë që avioni të thahet dhe të rikthehet në gjendje operacionale.
Për shkak të këtyre problemeve, Forcat Ajrore kanë pranuar se është joreale që B-2 të operojë pa strehëza të kontrolluara mjedisore. Çdo fluturim kërkon mirëmbajtje të gjatë, shpesh në hangarë të posaçëm, vetëm për të rikthyer shtresat e fshehtësisë. Testimet kanë treguar se riparimi i këtyre materialeve përbënte rreth 39% të gjithë orëve të mirëmbajtjes për çdo orë fluturimi – trefish më shumë se çdo komponent tjetër.
Ndikimi ishte edhe operacional. Në një periudhë 12-mujore deri në mars 1997, shkalla e aftësisë për mision të B-2 ishte 66%. Kur llogariteshin edhe problemet e fshehtësisë, kjo përqindje binte në vetëm 26%.
Problemi kulmoi në vitin 2008, kur një B-2 u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga baza ajrore Andersen në Guam. Hetimi zyrtar konkludoi se lagështia në sistemet e matjes së të dhënave ajrore gjatë kalibrimit kishte shtrembëruar informacionin, duke çuar në humbjen e avionit.
Megjithëse Northrop Grumman ka përmirësuar proceset e aplikimit të veshjeve dhe ka automatizuar pjesërisht mirëmbajtjen, Forcat Ajrore pranojnë se ndjeshmëria ndaj lagështisë nuk do të eliminohet plotësisht. Këto përvoja kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në dizajnin e bombarduesit të ri B-21 Raider, ku veshjet e fshehtësisë aplikohen si fazë e fundit e prodhimit për qëndrueshmëri më të madhe.
Në fund, historia e B-2 tregon se edhe teknologjia më e avancuar ushtarake mund të ketë dobësi shumë tokësore – dhe në këtë rast, ajo vjen nga shiu.

