Ushtria e Kinë nisi të hënën manovrën e saj më të madhe ushtarake të viteve të fundit përreth Tajvan, duke simuluar një bllokadë të porteve kryesore të ishullit dhe duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon.
Stërvitja dyditore, e koduar “Misioni i Drejtësisë 2025”, përfshin përdorimin e armëve me zjarr dhe operacione të koordinuara ajrore e detare. Sipas Pekinit, ajo shërben si paralajmërim ndaj “forcave separatiste” dhe “ndërhyrjeve të huaja”.
Pekini pretendon sovranitet mbi Tajvanin
Autoritetet kineze vazhdojnë ta konsiderojnë Tajvanin si territor të tyre dhe nuk e përjashtojnë përdorimin e forcës për “ribashkimin” e ishullit. Nga ana tjetër, Tajvani i hedh poshtë këto pretendime dhe ka paralajmëruar Kinën që të mos “gjykojë gabim situatën” dhe të mos rrezikojë stabilitetin rajonal.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e cilësoi stërvitjen kineze si “irracionale”, duke njoftuar krijimin e një qendre emergjente reagimi dhe mobilizimin e forcave mbrojtëse.
Simulohet bllokada e porteve dhe zonave kyçe
Sipas një deklarate zyrtare të ushtrisë kineze, njësitë e saj do të operojnë “nga drejtime të ndryshme” përreth Tajvanit, duke testuar aftësitë për operacione të përbashkëta, mbyllje portesh dhe patrullime intensive ajrore e detare.
Zëdhënësi i Komandës së Krahut Lindor të ushtrisë kineze, Shi Yi, tha se stërvitja synon arritjen e epërsisë ajrore dhe detare, si dhe ndërprerjen e mbështetjes së jashtme ushtarake për Tajvanin.
Manovra e shtatë madhore që nga viti 2022
Kjo është stërvitja e shtatë madhore e Kinës rreth Tajvanit që nga viti 2022, pas vizitës së ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në ishull – një vizitë që kishte shkaktuar reagime të ashpra nga Pekini.
SHBA në qendër të testimit strategjik
Manovrat vijnë vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re shitjeje armësh për Tajvanin në vlerë prej 11.1 miliardë dollarësh – marrëveshja më e madhe ushtarake mes dy palëve deri më tani, nëse miratohet nga Kongresi amerikan.
Analistët vlerësojnë se Pekini po teston reagimin e Uashingtonit, në një moment kur administrata e Donald Trump ka theksuar konkurrencën strategjike me Kinën dhe Pentagoni paralajmëron për modernizimin e shpejtë ushtarak kinez.
Diplomaci nën tension
Sipas vëzhguesve, Kina po teston gjithashtu nëse SHBA-të do të reagojnë ashpër apo do të zgjedhin një qasje më të përmbajtur, për të mos dëmtuar përgatitjet për një vizitë të mundshme të Trumpit në Pekin në vitin 2026 dhe një ftesë reciproke për Presidentin kinez Xi Jinping.

