Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e fundit të këtij viti ka vizituar fëmijët e shtruar në repartin e hemato-onkologjisë në Klinika e Pediatrisë, duke përcjellë mesazhe shprese dhe solidariteti në prag të Vitit të Ri.
Në një mesazh të publikuar pas vizitës, Presidentja Osmani theksoi se ky repart është një vend ku “forca matet me buzëqeshje të vogla dhe guximi me zemra të mëdha”, duke shtuar se, edhe pse koha aty duket se ecën më ngadalë, shpresa rreh më fort se kudo tjetër.
“Ata na kujtuan se shpresa nuk shuhet kurrë dhe se dashuria është forca më e madhe shëruese”, ka shkruar Osmani, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe kurajon e fëmijëve që po përballen me sfida të rënda shëndetësore.
Presidentja ka shprehur gjithashtu mirënjohje të veçantë për stafin mjekësor dhe infermieror të klinikës, të cilët, sipas saj, bëjnë një punë të jashtëzakonshme çdo ditë në shërbim të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Në fund, Osmani ka uruar që viti i ri të sjellë shëndet, shërim, gëzim dhe “mrekulli të vogla e të mëdha” për fëmijët e shtruar dhe për familjet e tyre, duke e mbyllur vitin me një mesazh të fortë human dhe shprese.

