Agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Ukraina nuk ka shënjestruar një rezidencë të përdorur nga Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një sulmi të kohëve të fundit me dronë në Rusinë veriore, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë, duke hedhur poshtë një akuzë të fortë të Kremlinit.
Sipas burimeve të cituara nga CNN, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e ka informuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump të mërkurën se nuk ekzistojnë prova që të konfirmojnë se një rezidencë presidenciale ruse ka qenë objektiv i një sulmi ukrainas, apo se një sulm i tillë ka ndodhur fare.
Ky vlerësim bie drejtpërdrejt ndesh me pretendimin që vetë Putin thuhet se ia ka përcjellë Trumpit gjatë një telefonate të fundit. Presidenti amerikan u kishte thënë më herët gazetarëve se homologu i tij rus e kishte informuar personalisht për një përpjekje sulmi ndaj rezidencës së tij, një deklaratë që në atë moment kishte shkaktuar shqetësim në Uashington.
“Nuk më pëlqen. Nuk është mirë,” kishte deklaruar Trump, duke shtuar se ishte ndjerë “shumë i zemëruar” pas dëgjimit të akuzës. Megjithatë, ai kishte pranuar se ekzistonte mundësia që pretendimi të mos ishte i vërtetë, ndonëse kishte theksuar se “Presidenti Putin më tha këtë mëngjes se kjo ndodhi”.
Pas informimit nga shefi i CIA-s, qëndrimi i Trumpit duket se është zbutur. Të mërkurën, ai shpërndau në platformën Truth Social një artikull opinioni nga New York Post me titullin: “Blofi i ‘sulmit’ të Putinit tregon se Rusia është ajo që pengon paqen”.
Në shkrim, bordi editorial i gazetës e cilësonte si “hipokrizi” faktin që Putin, pas gati katër vitesh lufte në Ukrainë, shfaqet i indinjuar nga një sulm i supozuar pranë tij, ndërkohë që nuk ka asnjë provë të verifikueshme se sulmi ka ndodhur. Artikulli theksonte gjithashtu se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kishte mohuar kategorikisht akuzën, ndërsa vetë Kremlini kishte pranuar se nuk mund të paraqiste prova konkrete.
Zbulimi i vlerësimit të inteligjencës amerikane, i raportuar fillimisht nga Wall Street Journal, vjen në një moment delikat diplomatik, teksa Trump dhe të dërguarit e tij po zhvillojnë kontakte intensive për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Putin e ngriti pretendimin për sulmin vetëm një ditë pas takimit Trump–Zelensky në Mar-a-Lago, ku presidenti amerikan kishte shprehur optimizëm të kujdesshëm për përparim drejt paqes.
Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se akuzat e Moskës mund të jenë pjesë e një strategjie për të minuar përpjekjet diplomatike, pa hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Trumpin. Edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e ka cilësuar pretendimin rus si një “shpërqendrim të qëllimshëm”.
Nga ana e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se 91 dronë ukrainas ishin nisur drejt rezidencës së Putinit pranë Valdait, në rajonin e Novgorodit, duke pretenduar se shumica e tyre u rrëzuan ose u neutralizuan. Megjithatë, Moska publikoi vetëm një hartë të pa verifikueshme në mënyrë të pavarur dhe nuk paraqiti prova konkrete për të mbështetur pretendimin.
Ndërkohë, vlerësimi i CIA-s forcon qëndrimin e Kievit se akuzat janë të pabazuara dhe shton dyshimet se incidenti i supozuar po përdoret më shumë si mjet politik, sesa si fakt i konfirmuar ushtarak.

