Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar kombit dhe forcave të armatosura me një mesazh të fuqishëm në prag të Vitit të Ri, duke theksuar se Ukraina synon paqen, por jo me çdo kusht.
Në fjalimin e tij 20-minutësh, Zelensky deklaroi se një marrëveshje e mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është “90 për qind gati”, ndërsa 10 përqindëshi i mbetur, sipas tij, është vendimtar për të ardhmen e vendit dhe të kontinentit evropian.
“Ne duam fundin e luftës, jo fundin e Ukrainës”, tha Zelensky, duke nënvizuar se Kievi nuk do të pranojë një marrëveshje të dobët që do ta rrezikonte sovranitetin dhe ekzistencën e shtetit ukrainas.
Presidenti ukrainas paralajmëroi se një tërheqje nga rajoni lindor i Donbasit do të ishte fatale. “Nëse Ukraina tërhiqet nga Donbasi, atëherë gjithçka do të ketë mbaruar”, tha ai, duke iu referuar kërkesës së Rusisë për kontroll të plotë mbi këtë zonë industriale si kusht për paqen.
Aktualisht, Moska kontrollon rreth 75 për qind të rajonit të Donetskut dhe pothuajse 99 për qind të Luhanskut, dy rajone që përbëjnë Donbasin dhe që kanë qenë një nga pengesat kryesore në negociatat për paqe. Rusia, sipas Zelenskyt, vazhdon të refuzojë kompromiset në këtë drejtim.
Në fjalimin e tij, Zelensky falënderoi vendet dhe udhëheqësit që kanë mbështetur Ukrainën gjatë gati katër viteve të luftës, por theksoi se mbështetja politike duhet të shndërrohet në garanci konkrete sigurie, të ratifikuara dhe të detyrueshme.
“Argumentet tona janë dëgjuar, por ende nuk janë pranuar plotësisht. Pikërisht për këtë arsye flasim për një marrëveshje 90 për qind gati, jo 100 për qind”, tha ai.
Zelensky pranoi se populli ukrainas është i lodhur nga lufta, por theksoi se vendi nuk është gati të dorëzohet. “Ukraina është ende në këmbë dhe do të mbetet e tillë”, përfundoi ai, duke shprehur besimin se viti 2026 mund të jetë vendimtar për fatin e paqes.

