Një raportim tronditës i medias italiane Corriere della Sera pretendon se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është arrestuar gjatë një operacioni të fshehtë amerikan të zhvilluar në Karakas, i autorizuar drejtpërdrejt nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Sipas këtij rrëfimi, operacioni i koduar “Maduro Out” ka nisur që në verën e kaluar, kur administrata Trump i dha dritën jeshile CIA-s për të kryer aksione të fshehta në Venezuelë, duke monitoruar lëvizjet e liderit venezuelian, bazat e tij të mbështetjes dhe sistemin e sigurisë.
Spiunazh dhe negociata të dështuara
Raportohet se për muaj me radhë, agjentë amerikanë kanë vepruar në heshtje duke përdorur metoda klasike infiltrimi të kombinuara me teknologji të avancuar, përfshirë dronë dhe mbikëqyrje satelitore. Paralelisht, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se ka zhvilluar negociata të fshehta me Maduron, duke i ofruar disa herë një “rrugëdalje” politike, e cila nuk u pranua.
Pas dështimit të këtij kanali diplomatik, administrata amerikane kaloi në fazën ushtarake të planit.
Sulm ajror dhe ndërhyrje speciale
Operacioni thuhet se u miratua nga Trump pak ditë pas Krishtlindjeve dhe u ekzekutua në fillim të janarit. Mbi 150 avionë luftarakë dhe mjete ajrore u ngritën nga disa baza, përfshirë avionë F-35, bombardues B-1, dronë dhe helikopterë Apache.
Objektivat e para ishin pozicione strategjike në dhe rreth Karakasit, përfshirë porte dhe aeroporte, me qëllim neutralizimin e mbrojtjes ajrore dhe krijimin e korridorit për ndërhyrjen tokësore.
46 sekonda brenda dhomës së gjumit
Sipas raportimit, njësitë elitare të Delta Force depërtuan në kompleksin ushtarak të fortifikuar Fuerte Tiuna, ku Maduro ndodhej me bashkëshorten e tij, Cilia Flores. Energjia elektrike u ndërpre dhe, brenda vetëm 46 sekondave, forcat speciale hynë me forcë në dhomën e gjumit të presidentit venezuelian.
Maduro thuhet se tentoi të strehohej në një ambient të blinduar, por u arrestua dhe iu komunikua urdhër-arresti i lëshuar nga prokurorët amerikanë. Sipas Uashingtonit, bëhej fjalë për zbatim të një vendimi gjyqësor dhe jo për akt lufte.
Pas arrestimit, Maduro dhe bashkëshortja e tij u transportuan me helikopter drejt një njësie detare amerikane në Karaibe, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Iwo Jima. Presidenti Trump ka deklaruar se gjatë operacionit nuk pati humbje nga pala amerikane.
Megjithatë, deri tani mungon konfirmimi zyrtar ndërkombëtar për këtë operacion, ndërsa autoritetet venezueliane nuk kanë dhënë një reagim të detajuar. Ngjarja mbetet, për momentin, një nga raportimet më të forta dhe më kontroverse të ditëve të fundit në arenën ndërkombëtare.

