Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar qytetarët për një natë tejet kritike sa i përket qarkullimit rrugor, për shkak të rënies së ndjeshme të temperaturave dhe rrezikut të lartë nga ngricat.
Sipas Kurtit, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, paraqet rrezik serioz për përdoruesit e rrugëve, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë gjatë natës.
Ai bëri të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren, duke punuar për të lehtësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë në akset rrugore në të gjithë vendin.
Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin për sezonin dimëror, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. Nëse megjithatë duhet të qarkullojnë, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike,” ka theksuar Kurti.
Ai shtoi se institucionet po bëjnë maksimumin për të ndihmuar qytetarët, duke kërkuar njëkohësisht bashkëpunim nga të gjithë për të rritur sigurinë dhe për të shmangur situata të rrezikshme në komunikacion.

