Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se, pas shirave të fundit, po përcillet nga afër gjendja e ujit të pijes në të gjithë territorin e Kosovës. Së bashku me qendrat rajonale, IKSHPK është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e ujësjellësit dhe po kryen analiza të rregullta dhe të jashtëzakonshme laboratorike për të garantuar sigurinë e ujit për qytetarët.
Sipas gjendjes së raportuar më 7 janar 2026, situata ndryshon nga rajoni në rajon. Në rajonin e Prishtinës, fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së lartë të ujit, ndërsa sistemet në Graçanicë/Badovc dhe Albanik/Batllavë funksionojnë normalisht dhe cilësia e ujit po monitorohet vazhdimisht.
Në rajonin e Prizrenit, burimi “40 bunarët” përdoret vetëm për nevoja sanitare dhe nuk është i sigurt për pije, ndërsa burimet Cvilen dhe Soz janë të përdorshme. Në Suharekë dhe Malishevë uji i rrjetit nuk rekomandohet për pije, ndërsa në Dragash deri tani nuk janë evidentuar probleme.
Në rajonin e Gjilanit, uji në qytetin e Gjilanit është i sigurt, por në fshatin Berivojcë të Kamenicës janë vërejtur nitrate të rritura dhe qytetarët janë udhëzuar të mos e përdorin ujin për pije. Në Viti, furnizimi është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Në rajonin e Pejës, pas reshjeve janë shfaqur turbullira në disa burime. Në Deçan dhe zonën e Jarinës në Klinë furnizimi është ndërprerë përkohësisht dhe po shfrytëzohen puse alternative. Në Pejë, situata në burimin e Drinit të Bardhë në Radac është përmirësuar dhe furnizimi vazhdon normalisht.
Në Ferizaj, uji i pijes është brenda standardeve dhe i sigurt për konsum. Në Gjakovë, uji nga rrjeti publik është i sigurt, por në disa burime lokale – si Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe dhe Zaqishtë – uji nuk duhet të përdoret për pije. Ndërkohë, në rajonin e Mitrovicës, uji nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar për shkak të turbullirës së lartë.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të vlojnë ujin nga bunarët e pambrojtur para përdorimit ose të shfrytëzojnë burime alternative të sigurta, të ruajnë ushqimin nga kontakti me ujin e shiut dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të institucioneve dhe kompanive të ujësjellësit në komunat e tyre.

