Qeveria ka nisur përgatitjet për paketën e dëmshpërblimeve për familjet, bizneset dhe fermerët e prekur nga përmbytjet, ndërsa kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile.
Mbledhja do të zhvillohet në orën 08:30, në godinën qeveritare, dhe do të ketë në fokus menaxhimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në mbarë vendin, si dhe masat e menjëhershme për përballimin e pasojave.
Në takim do të marrin pjesë ministritë e linjës përgjegjëse për emergjencat civile, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Bujqësisë, si dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Sipas burimeve qeveritare, një nga pikat kryesore të diskutimit do të jetë paketa e dëmshpërblimeve, e cila synon të kompensojë dëmet e shkaktuara në tokat bujqësore, banesat dhe aktivitetet ekonomike të prekura nga përmbytjet.
Më herët, kryeministri Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të komunikojnë me institucionet për çdo nevojë emergjente. Sipas tij, strukturat shtetërore janë në terren 24 orë në 24 për të përballuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Qeveria pritet të dalë me vendime konkrete pas përfundimit të mbledhjes së sotme.

