Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partia Demokratike e Kosovës, e cila kërkonte anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025.
Paneli, i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj, ka konstatuar se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh. Sipas vendimit, shkelja e supozuar ka ndodhur më 2 dhe 5 janar 2026, kur janë tërhequr pakot me fletëvotime, ndërsa ankesa është parashtruar në PZAP më 8 janar 2026. Për këtë arsye, paneli e ka hedhur poshtë ankesën pa hyrë në shqyrtimin e bazueshmërisë së saj.
PDK kishte pretenduar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkelur Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme duke numëruar fletëvotime që kishin arritur në kutitë postare më 2 dhe 5 janar 2026.
Në përgjigjen e saj, KQZ-ja ka argumentuar se ndryshimi i afateve ishte i domosdoshëm për të garantuar të drejtën e votës për diasporën, për shkak të festave të fundvitit, vonesave postare, dështimit të kontraktimit në kohë të operatorit ekonomik për shërbime postare dhe faktit që në disa shtete, si Zvicra, data 29 dhjetor nuk ishte ditë pune. KQZ ka theksuar se vendimi është marrë me votat e të gjithë anëtarëve dhe është bazuar në dispozitat ligjore që i lejojnë ndryshimin e afateve në rrethana të zgjedhjeve të parakohshme.
Partia Demokratike e Kosovës ka të drejtë të ankohet kundër këtij vendimi në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP.

