Autoritetet iraniane kanë sinjalizuar për një përshkallëzim të masave të ashpra ndaj protestave më të mëdha antiqeveritare që vendi ka përjetuar në vitet e fundit, teksa trazirat po zgjerohen në shumë qytete të Iranit.
Garda Revolucionare Islamike ka akuzuar “grupe terroriste” për nxitjen e dhunës dhe është zotuar se do të mbrojë me çdo kusht sistemin qeverisës, duke e cilësuar ruajtjen e rendit dhe të arritjeve të revolucionit islamik si “vijë të kuqe”. Paralelisht, ushtria e rregullt iraniane ka deklaruar se do të mbrojë interesat kombëtare, infrastrukturën strategjike dhe pronën publike.
Situata është tensionuar më tej një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë, nëse autoritetet iraniane vazhdojnë shtypjen e protestuesve. Ndërkohë, raportime të shumta për dhunë janë shënuar në disa pjesë të vendit, edhe pse një ndërprerje e gjerë e internetit e ka bërë të vështirë verifikimin e plotë të zhvillimeve.
Media shtetërore iraniane njoftoi se një ndërtesë bashkiake në Karaj, në perëndim të Teheranit, është djegur, duke fajësuar “rebelët”. Po ashtu, televizioni shtetëror transmetoi pamje nga funeralet e disa anëtarëve të forcave të sigurisë, të cilët thuhet se janë vrarë gjatë përleshjeve në qytete si Shiraz, Qom dhe Hamedan.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë turma të mëdha në rrugët e Teheranit, zjarre të ndezura dhe thirrje kundër regjimit. Në disa video dëgjohen slogane si “Vdekje diktatorit” dhe “Vdekje Khameneit”, në referencë ndaj Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. Agjencia Reuters ka verifikuar vendndodhjen e disa prej këtyre pamjeve.
Protestat nisën më 28 dhjetor si reagim ndaj inflacionit të lartë dhe kushteve të vështira ekonomike, por shpejt morën karakter politik, me kërkesa për fundin e sundimit klerikal. Autoritetet iraniane akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave.
Sipas organizatës iraniane për të drejtat e njeriut HRANA, deri tani janë vrarë të paktën 50 protestues dhe 15 anëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa rreth 2,300 persona janë arrestuar.
Në këtë klimë tensioni, Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit dhe një figurë e njohur e opozitës në mërgim, ka bërë thirrjen e tij më të fortë deri më tani për zgjerimin e protestave në një revoltë të hapur. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai u ka kërkuar qytetarëve të pushtojnë qendrat e qyteteve dhe të qëndrojnë aty, duke deklaruar se synimi nuk është më thjesht protestimi, por përmbysja e regjimit.
Nga ana tjetër, presidenti Trump ka deklaruar se shpreson që protestuesit të jenë të sigurt, duke paralajmëruar Teheranin që të mos përdorë dhunë. Ai ka lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje amerikane, duke shtuar se “nëse fillojnë të qëllojnë, edhe ne do të fillojmë të qëllojmë”.
Mjekë dhe dëshmitarë në disa rajone të Iranit raportojnë se spitaleve u janë dërguar dhjetëra protestues të plagosur rëndë, disa prej tyre të qëlluar me municion të vërtetë. Sipas një mjeku në veriperëndim të vendit, të paktën pesë persona kanë ndërruar jetë pas plagëve të marra nga armët e zjarrit.
Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei ka akuzuar protestuesit se veprojnë në shërbim të interesave të huaja dhe ka paralajmëruar se shteti nuk do të tolerojë veprime që, sipas tij, synojnë destabilizimin e vendit.
Ndërsa protestat vazhdojnë dhe kërcënimet për ndërhyrje të jashtme shtohen, Irani po përballet me një nga momentet më të rrezikshme të dekadave të fundit, me rrezik të qartë për përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës dhe represionit.

