Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur sot nga ora 14:00 mbledhjen e Kryesisë së partisë, e para pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku LDK u rendit e treta me 13.23 për qind të votave.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, para nisjes së takimit bëri të ditur se mbledhja është e natyrës konsultative. Ajo tha shkurt se qëndrimet e saj do t’i shprehë brenda Kryesisë dhe më pas do t’i bëjë publike.
“Është takim konsultativ. Qëndrimet e mia do t’i shpreh aty dhe më pas do t’i bëj publike”, deklaroi Bajrami.
Para mbledhjes foli edhe deputeti Anton Quni, i cili nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse është pro apo kundër dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai theksoi se fillimisht duhet të zhvillohet dhe të shterohet debati i brendshëm brenda Kryesisë.
“Do të bisedojmë për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Qëndrimin tim do ta jap brenda takimit dhe çdo çështje do të bëhet publike pasi t’i shterim të gjitha diskutimet”, tha Quni.
Kjo mbledhje vjen në një moment të ndjeshëm për LDK-në, pas rezultatit zgjedhor ku partia u rendit pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke hapur debat të brendshëm për përgjegjësinë politike dhe drejtimin e mëtejmë të partisë.

