Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona dhe ka konfiskuar mbi 25 mijë euro para të gatshme, armë dhe sasi të konsiderueshme narkotikësh në dy operacione të ndara policore, të koduara “Pinku” dhe “Dora e Kapur”.
Sipas njoftimit zyrtar, operacionet janë realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), pas hetimeve intensive operativo-hetimore në terren.
Rasti “Pinku”: Arrestime në Fushë Kosovë, armë dhe drogë në shtëpi
Më 14 janar 2026, rreth orës 15:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, hetuesit kanë kapur në flagrancë dy persona të dyshuar gjatë një transaksioni të shitblerjes së narkotikëve. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur marihuanë, kokainë, para të gatshme dhe telefona mobilë.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është realizuar bastisje në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku janë sekuestruar:
-
një armë e shkurtë,
-
mbi 15 gramë kokainë,
-
79 tableta ekstazi,
-
marihuanë në sasi mbi 300 gramë,
-
peshore digjitale dhe materiale për paketim të narkotikëve.
Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti “Dora e Kapur”: Kapje në Prishtinë, mbi 25 mijë euro cash
Në një operacion tjetër të realizuar po më 14 janar 2026 në Prishtinë, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar për trafikim me narkotikë. Gjatë kontrollit fillestar janë gjetur doza heroine, ndërsa bastisja e banesës ka rezultuar me konfiskimin e:
-
52 paketime heroine,
-
hashash dhe marihuanë,
-
një pushkë gjuetie me fishekë,
-
25,160 euro para të gatshme,
-
një veturë, peshore dhe telefona mobilë.
Policia: Lufta kundër narkotikëve do të vazhdojë
Nga Policia e Kosovës u tha se të gjitha provat materiale janë sekuestruar dhe rastet po trajtohen në koordinim me Prokurorinë kompetente. Autoritetet theksuan se do të vazhdojnë me përkushtim luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në këto veprimtari kriminale.

