Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në kuadër të një rasti që lidhet me pagesa të paligjshme nga buxheti i shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me prokurorinë kompetente, ka siguruar prova të besueshme që implikojnë dy meshkuj kosovarë në këtë rast.
I dyshuari i parë, bibliotekist në një shkollë dhe me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë nuk është paraqitur fare në vendin e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës. Nga viti 2023 deri në tetor 2025, ai dyshohet se ka shkaktuar dëm financiar prej 19,067.69 euro.
I dyshuari i dytë, në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e punonjësit tek autoritetet kompetente, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore, çka e bën atë po ashtu përgjegjës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë.

