Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bllokuar një produkt ushqimor për fëmijë, pasi është konstatuar prania e substancës Cereulide, e konsideruar e rrezikshme për shëndetin.
Sipas AUV-së, njoftimi ka ardhur nga Republika e Shqipërisë përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bazuar në Sistemin e Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me referencë 2025.9963. Produkti në fjalë ka origjinë nga Holanda dhe është eksportuar nga subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri drejt kompanisë Rossmann Kosova.
Në total, 462 copë të këtij produkti janë futur në tregun e Kosovës. AUV bën të ditur se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, produkti është bllokuar dhe pritet të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Agjencia thekson se, pavarësisht mungesës së inspektorëve, mbetet e përkushtuar në monitorimin e tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.

