Rinumërimi i deritanishëm i votave ka sjellë një përmbysje të fortë politike brenda Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), duke lënë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.
Sipas rezultateve të rinumërimit, Damka – i cili kryesonte listën e kandidatëve – nuk arrin më të sigurojë mandatin e deputetit, ndërsa vendi i tij pritet t’i takojë Ergul Mazrek, kandidati me numër 4 në listë.
Rinumërimi ka nxjerrë se Mazrek ka 2.511 vota, 15 më shumë sesa rezultati i tij fillestar, diferencë që rezulton vendimtare për ndarjen e mandatit brenda partisë.
Ky zhvillim e lë jashtë Kuvendit kryetarin e KDTP-së dhe njëherësh ministrin në detyrë, duke e kthyer Mazrekun në deputetin e ri të komunitetit turk, në një nga rastet më domethënëse ku rinumërimi ka ndryshuar drejtpërdrejt përfaqësimin parlamentar.
Procesi ende nuk është përmbyllur plotësisht, por nëse trendi aktual konfirmohet edhe në fazat e fundit, Damka do të mbetet zyrtarisht jashtë legjislaturës së re, një goditje politike që nuk kalon pa jehonë – as brenda partisë, as në skenën më të gjerë politike.
Në zgjedhje, vota flet… por këtë herë, rinumërimi bërtiti më fort.

