Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me mbi 200 dronë ndaj Ukrainës në orët e para të së dielës, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe dhjetëra të plagosur, si dhe dëme të rënda në infrastrukturën energjetike të vendit.
Lajmin e konfirmoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili përmes një postimi në platformën X bëri të ditur se rajonet më të goditura janë Sumy, Kharkiv, Dnipro, Zaporizhzhia, Khmelnytskyi dhe Odesa.
Sipas Zelenskyt, përdorimi i një numri kaq të madh dronësh dëshmon përshkallëzimin e qëllimshëm të sulmeve nga Moska, me fokus të drejtpërdrejtë shkatërrimin e sistemit energjetik ukrainas.
Viktima në Kharkiv, qytete në errësirë totale
Një nga viktimat u raportua në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Kryebashkiaku Ihor Terekhov deklaroi se sulmet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën kritike, duke lënë zona të tëra pa energji elektrike. Për viktimën e dytë, autoritetet ende nuk kanë sqaruar rrethanat e sakta të vdekjes.
Në shumë qytete, përfshirë Kievin, mungojnë energjia elektrike dhe ngrohja, në një moment kritik kur temperaturat kanë zbritur deri në -16 gradë Celsius. Goditjet ruse po rëndojnë edhe më shumë një rrjet energjetik tashmë të dobësuar nga muaj të tërë bombardimesh.
Ukraina detyrohet të importojë energji
Të shtunën, Zelensky njoftoi se ka urdhëruar importin e energjisë elektrike, për të përballuar emergjencën dhe për të shmangur kolapsin total gjatë dimrit.
Sulmet e fundit ndodhin në një kohë kur zyrtarë amerikanë dhe ukrainas po zhvillojnë takime në Miami, ku po diskutohet për garanci sigurie dhe një paketë të gjerë rimëkëmbjeje për Ukrainën pas luftës.
Presion për marrëveshje paqeje
Ndërkohë, Uashingtoni po e shtyn Kievin drejt një marrëveshjeje paqeje, e cila më pas do t’i paraqitet Moskës. Megjithatë, Rusia ka paraqitur kërkesa që përfshijnë lëshime të mëdha territoriale dhe politike, të cilat Ukraina i konsideron të papranueshme.
Ndërsa dronët vazhdojnë të bien dhe qytetet zhyten në errësirë, mesazhi nga Kievi është i qartë: lufta po hyn në një fazë edhe më të ashpër, ku energjia është kthyer në armë po aq të rrezikshme sa raketat.

