Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj parregullsive të evidentuara gjatë rinumërimit të votave, duke akuzuar se në disa qytete është tjetërsuar vullneti i qytetarëve, veçanërisht në dëm të kandidatëve të rinj.
Sipas Abdixhikut, goditja ndaj emrave të rinj nuk është rastësi, por një rezistencë e strukturave të vjetra që, siç tha ai, e kanë kthyer politikën në strehë interesi dhe po tentojnë të ndalin reformën. “Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër – goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma”, u shpreh ai.
Thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi
Abdixhiku kërkoi veprim të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se manipulimi i votës është krim dhe duhet të ndëshkohet pa përjashtim. Ai theksoi se komisionerët manipulues “kanë emra dhe dihen”, duke kërkuar përgjegjësi penale si për ekzekutuesit ashtu edhe për porositësit.
Në këtë kontekst, kreu i LDK-së kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, në mënyrë që të hiqet çdo dyshim mbi integritetin e procesit. “Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhur. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, theksoi ai.
Përgjegjësi edhe brenda partisë
Duke pranuar se LDK ka më së paku shpërputhje krahasuar me subjektet e tjera, Abdixhiku nënvizoi se kjo i jep partisë përgjegjësi të dyfishtë. Ai paralajmëroi se, përtej veprimeve ligjore, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda partisë, pas mbajtjes së Kuvendit.
Reagimi i Abdixhikut vjen në një klimë të tensionuar pas rinumërimeve, duke rritur presionin publik për transparencë të plotë dhe ndëshkim të çdo tentative për cenim të votës së lirë.

