Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik për një rrezik potencial shëndetësor që lidhet me formulën për foshnje Nestlé – Nidina Optipro 1 (600g).
Sipas AUV-së, bazuar në një njoftim të pranuar nga RASFF – Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqimin për Kafshë, me numër reference 2025.9962, është identifikuar prania e substancës Cereulide në produktin me lot 52860346BB.
Produkti ka origjinë nga Holanda dhe është importuar në Republika e Kosovës nga kompania Nestlé Nederland BV.
AUV ka bërë të ditur se ka nisur bllokimin e menjëhershëm të këtij produkti në treg, ndërsa në fazën pasuese do të procedohet me asgjësimin e tij, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim që konsumatorëve në Kosovë – veçanërisht foshnjave, si grupi më i ndjeshëm – t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.
Mesazhi është i qartë: kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, nuk ka kompromis, as vonesë.

