Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas raportimeve në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe të paraqitura rrejshëm si trajtim për autizëm.
Në reagimin zyrtar, Ministria u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mbështeten vetëm në metoda të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione shëndetësore dhe profesionistë të licencuar.
Lidhur me rastin konkret, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të drejtpërdrejtë me Policia e Kosovës, për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Shëndeti i fëmijëve është prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional,” thuhet në reagim.
Mesazhi është i prerë: autizmi nuk trajtohet me premtime boshe dhe ilaçe të dyshimta. Shkenca nuk negociohet, e shëndeti i fëmijëve nuk është fushë eksperimentesh.

