Kryeministri i Republika e Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, si shtet anëtar themelues.
Sipas njoftimit të Ramës, ky Bord pritet të shërbejë si qeveri tranzitore në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës, ndërsa ceremonia e nënshkrimit është paraparë të mbahet më 22 janar në Davos.
Kryeministri ka bërë të ditur se angazhimi i Shqipërisë në këtë nismë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim, në përputhje me procedurat kushtetuese.
“Në një botë ku konfliktet dhe përçarja dominojnë shpesh skenën ndërkombëtare, paqja duhet të ndërtohet aktivisht, jo të pritet pasivisht,” thekson Rama në letrën drejtuar Trumpit, duke vlerësuar iniciativën si një instrument konkret dhe jo thjesht një forum deklarativ.
Rama shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar personalisht dhe institucionalisht në misionin e Bordit të Paqes, duke theksuar se Shqipëria është prej kohësh një aleate e palëkundur e SHBA-së, e lidhur nga vlera të përbashkëta, demokracia dhe angazhimi për sigurinë globale.
“Paqja që vjen vonë shpesh është paqe e dështuar. Kjo nismë e kupton se koha, përgjegjësia dhe lidershipi janë vetë instrumente të paqes,” thuhet ndër të tjera në letrën e kryeministrit shqiptar.
Me këtë hap, Shqipëria synon të pozicionohet jo vetëm si mbështetëse politike, por si aktor aktiv në proceset globale të paqes, në një nga krizat më të ndjeshme të kohës.

