E mërkura në Kosovë pritet të karakterizohet me mot kryesisht të vranët dhe me reshje të pakta bore dhe shqote. Do të fryjnë erëra kryesisht nga juglindja, të cilat do të ndihen të ftohta për shkak të mbetjeve të ajrit të ftohtë që vazhdon të jetë prezent mbi rajon.
Temperaturat do të luhaten nga -4 gradë Celsius minimalja në orët e mëngjesit, deri në 4 gradë Celsius ajo maksimale gjatë ditës.
Në Shqipëri, e mërkura do të sjellë mot të vranët me reshje shiu dhe bore. Reshje shiu priten kryesisht në perëndim të vendit, ndërsa në lindje dhe juglindje parashihen reshje bore. Reshje lokale bore priten gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe në veri të Malit të Zi.
Në përgjithësi, reshjet do të jenë të dobëta, por në viset kodrinore-malore të juglindjes, lindjes dhe veriut të Shqipërisë, si dhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut, ato mund të jenë disi më intensive. Edhe në juglindje të Kosovës pritet të ketë reshje bore, ndërsa fjolla bore nuk përjashtohen edhe në shumë vise të tjera të vendit.

