Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë, i dyshuar brenda familjes.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i dyshuari F.B. dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre.
Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurorja kujdestare, njësitet relevante të Policia e Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit:
-
një rast në vitin 2024,
-
dy raste në vitin 2021.
Për këto raste, sipas njoftimit zyrtar, janë ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, janë ngritur aktakuza dhe janë nxjerrë aktgjykime dënuese.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se po vazhdon me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes.
Një tragjedi e rëndë familjare që rihap me forcë debatin për dhunën në familje, shëndetin mendor dhe mekanizmat e parandalimit – çështje që, kur neglizhohen, lënë pasoja të pakthyeshme.

