Dogana e Kosovës ka sekuestruar 237 mijë ambalazhe të paligjshme për paketimin e cigareve gjatë një kontrolli doganor të realizuar në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë. Sipas njoftimit zyrtar nga Dogana e Kosovës, kontrolli është kryer në kuadër të aktiviteteve të rregullta të menaxhimit të riskut dhe ka përfshirë një dërgesë të ardhur nga Turqia.
Gjatë inspektimit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar gjithsej 237,000 copë ambalazhe për nga 20 cigare, të pajisura me mbishkrimin “DRINA”, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi. Sipas autoriteteve, dyshohet se malli kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Dogana vlerëson se përmes këtij aksioni janë parandaluar humbje potenciale fiskale në vlerë rreth 340 mijë euro. Menjëherë pas zbulimit, janë ndërmarrë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtëse dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e tregut dhe shëndetit publik, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin.

