Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar si moment historik përfshirjen e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në një reagim publik, Abdixhiku tha se ky zhvillim tejkalon kuadrin e një lajmi ditor dhe përfaqëson një dëshmi të pjekurisë shtetërore të Kosovës. Sipas tij, për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri me ndihmën vendimtare të faktorit ndërkombëtar, pjesëmarrja në tryezat ku diskutohet paqja globale është njëkohësisht dëshmi suksesi dhe përgjegjësi e re.
Ai theksoi se Kosova sot nuk shihet më vetëm si përfituese e paqes, por si pjesë aktive në ndërtimin e saj, duke u pozicionuar qartë në anën e aleancave të drejta dhe të sigurisë globale. Abdixhiku nënvizoi se çdo hap i përbashkët me Shtetet e Bashkuara forcon sigurinë kombëtare të Kosovës dhe thellon aleancat strategjike të vendit.
Në fund, ai bëri të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë angazhim ndërkombëtar, duke e cilësuar si një kapitull të ri për shtetin e Kosovës dhe një arritje kombëtare që i përket të gjithë qytetarëve.

