Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për të cilat ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa deri më tani ky proces ka përfunduar plotësisht në 19 komuna të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi ka nisur më 13 janar dhe deri tani janë rinumëruar rreth 1,240 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbën afërsisht 49 për qind të totalit.
Sipas Elezit, procesi është mbyllur në 19 komuna, ndërsa rinumërimi vazhdon edhe në 19 komunat e mbetura, ku janë rreth 1,300 vendvotime për t’u trajtuar. Ai theksoi se KQZ është duke punuar me intensitet maksimal për ta përmbyllur sa më shpejt këtë fazë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përfundojë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Elezi.
Nga KQZ sqarojnë se pas përfundimit të rinumërimit, procesi zgjedhor hyn në fazën e ankesave, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Subjektet politike dhe kandidatët do të kenë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e më pas edhe në Gjykatën Supreme, nëse vlerësohet e nevojshme.
Vetëm pas shqyrtimit të plotë të ankesave, marrjes së vendimeve përfundimtare dhe zbatimit të tyre, KQZ do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve dhe përmbylljen zyrtare të procesit zgjedhor.

