Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të fletëvotimeve ka përfunduar plotësisht në 22 komuna të Kosovës, ndërsa puna po vazhdon në komunat e mbetura.
Sipas njoftimit zyrtar, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar deri më tani 1,500 nga gjithsej 2,557 vendvotime, që përbëjnë mbi 58 për qind të totalit të vendvotimeve të përfshira në proces.
“KQZ është duke vazhduar rinumërimin e fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat është marrë vendim për rinumërim”, thuhet në njoftim.
Procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar 2026, në orën 18:00, ndërsa të dhënat e fundit janë përditësuar më 24 janar 2026, në orën 16:00. Rezultatet për çdo vendvotim publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së, në seksionin QNR – Rinumërim, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 28 dhjetor 2025, ndërsa KQZ ka theksuar se po punon me intensitet për ta përmbyllur procesin dhe për të proceduar sa më shpejt drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare.

