Disa familjarë të komisionerëve të arrestuar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore i janë drejtuar Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke shprehur shqetësime lidhur me kushtet e ndalimit dhe mënyrën e trajtimit të tyre.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka deklaruar se ankesat e paraqitura nga familjarët lidhen kryesisht me hapësirat e ngushta, mungesën e ushqimit dhe ujit, por sipas tij, shqetësimi më serioz ka të bëjë me publikimin e emrave dhe fotografive të personave të ndaluar, ende pa nisur procedurat hetimore.
“Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe privatësisë, e ndaluar edhe me ligj. Parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të respektohet”, ka thënë Shala për televizionin Dukagjini.
Seanca gjyqësore dhe incidenti me prangat
Njëzet e tre të arrestuar për dyshime për manipulim me vota janë dërguar të shtunën në Gjykatën Themelore për seancën dëgjimore lidhur me masën e sigurisë. Sipas burimeve brenda gjykatës, njërit prej të ndaluarve i janë shkaktuar plagë në duar nga prangat plastike, duke kërkuar ndërhyrjen e ekipeve emergjente.
Lidhur me këtë incident, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren nuk ka dhënë ende përgjigje zyrtare.
Ankesa për kushtet në Qendrën Korrektuese
Disa nga të ndaluarit janë transferuar përkohësisht në Qendrën Korrektuese në Lipjan, për shkak të numrit të madh të arrestimeve. Avokatët e disa prej tyre kanë pretenduar se kushtet kanë qenë jo të përshtatshme, përfshirë temperatura të ulëta dhe funksionalitet të kufizuar të objektit.
Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili ka theksuar se trajtimi i të ndaluarve është bërë në përputhje me ligjin dhe standardet humane.
Sipas njoftimit zyrtar:
-
të ndaluarit janë mbajtur në dy lokacione: Qendra Korrektuese në Lipjan dhe Qendra e Paraburgimit në Gjilan;
-
personat e gjinisë femërore janë akomoduar në hapësira të veçanta;
-
ushqimi, kushtet higjienike dhe ndarja nga të burgosurit janë siguruar sipas procedurave ligjore;
-
menaxhimi i të ndaluarve është bërë nga Policia e Kosovës, ndërsa Shërbimi Korrektues ka ofruar vetëm hapësira dhe mbështetje logjistike.
Avokatët kërkojnë kujdes në ekspozimin publik
Avokati Valdet Hoxha ka theksuar se përveç një hetimi të drejtë dhe transparent, institucionet duhet të tregojnë kujdes të shtuar në ekspozimin publik të të dyshuarve.
“Secili duhet të konsiderohet i pafajshëm derisa të ketë një vendim të formës së prerë. Ekspozimi publik para kohe dëmton rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë dhe etikën profesionale”, ka deklaruar Hoxha.

