Kandidati për kryetar të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka folur për arsyet e rënies së theksuar të partisë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke pranuar se lidershipi ka dështuar në konsolidimin e partisë dhe të opozitarizmit.
Duke folur në emisionin T7, Hoti tha se analiza duhet të nisë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për të kuptuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo brenda partisë.
“Mendoj se duhet të kthehemi te rezultati i nëntë shkurtit, për të parë se çka bëmë e çka nuk bëmë”, u shpreh Hoti.
Sipas tij, LDK-ja nuk arriti të ndërtojë një ofertë të qartë politike për qytetarët dhe nuk u konsolidua si ekip opozitar përballë, siç tha ai, një propagande të fortë politike.
“Nuk arritëm të konsolidohemi si parti politike, qoftë në ofertë për qytetarët, qoftë në të bërit opozitë si ekip. Kemi pasur zëra opozitarë, por nuk kemi arritur ta konsolidojmë opozitarizmin”, theksoi Hoti.
Ish-kryeministri shtoi se përgjegjësia kryesore për këtë dështim bie mbi lidershipin aktual të partisë, duke përfshirë edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Fajtor është komplet lidershipi, në krye me kryetarin e partisë. Në politikë, kryetari e merr përgjegjësinë kryesore sepse ai duhet ta vërë në funksion gjithë motorin e partisë”, deklaroi Hoti.
Ai rikujtoi gjithashtu se në të kaluarën, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte marrë përgjegjësi politike pas rezultateve të dobëta zgjedhore.

