Një lajm i mirë po vjen nga Austria për të gjithë bashkatdhetarët tanë që punojnë dhe jetojnë atje. Rregulloret e reja për lehtësimin e taksës mbi orët shtesë janë miratuar në Komitetin e Financave të Këshilli Kombëtar, dhe pritet të hyjnë në fuqi së shpejti.
Sipas këtyre ndryshimeve, bonuset për 15 orët e para të punës jashtë orarit në muaj do të jenë të liruara nga tatimi, deri në një maksimum prej 170 eurosh. Ky është një lehtësim dukshëm më i favorshëm sesa propozimi fillestar, i cili parashihte përjashtim nga taksa vetëm për 10 orë dhe deri në 120 euro.
Çfarë do të thotë kjo për bashkatdhetarët në Austri?
Për mijëra shqiptarë që punojnë në sektorë ku puna jashtë orarit është e zakonshme – ndërtimtari, industri, shërbime, shëndetësi dhe gastronomi – kjo masë nënkupton:
-
më shumë para neto në fund të muajit,
-
më pak barrë tatimore për punën shtesë,
-
vlerësim më të drejtë të angazhimit dhe mundit të tyre.
Kosto për shtetin, por përfitim për punëtorët
Sipas vlerësimeve zyrtare, kjo masë do t’i kushtojë buxhetit austriak rreth 105 milionë euro në vitin 2026, por qeveria ka vlerësuar se lehtësimi është i domosdoshëm për të shpërblyer punën dhe për të motivuar fuqinë punëtore.
Analizat tregojnë se pjesa më e madhe e përfitimit shkon tek punëtorët me të ardhura më të larta dhe tek burrat, pasi ata mesatarisht kryejnë më shumë orë shtesë – një realitet që prek edhe një pjesë të madhe të bashkatdhetarëve tanë në Austri.
Lehtësim edhe për punën gjatë festave zyrtare
Një tjetër risi e rëndësishme: pagesat për punën e kryer realisht gjatë festave zyrtare do të jenë të pataksueshme deri në 400 euro. Vetëm shuma mbi këtë kufi do t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat. Kjo masë sjell më shumë siguri ligjore dhe thjeshtëson llogaritjen e pagave.
Mesazh për bashkatdhetarët
Ky është një zhvillim pozitiv për të gjithë shqiptarët që me djersë dhe punë të ndershme kontribuojnë në ekonominë e Austrisë. Lehtësimi i taksave për orët shtesë është një hap konkret drejt vlerësimit të punës së ndershme dhe përmirësimit të mirëqenies së familjeve tona në mërgatë.
Këshillë: Informohuni pranë punëdhënësit ose këshilltarit tuaj tatimor për mënyrën se si këto rregullore të reja do të reflektohen në pagën tuaj mujore.

