Njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë nisur veprime operative edhe në Gjakovë, në kuadër të një hetimi të zgjeruar që lidhet me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se autoritetet janë duke zhvilluar hetime ndaj disa komisionerëve të qendrave të votimit, të cilët dyshohen se kanë ndërhyrë në procesin e numërimit dhe administrimit të votave, duke cenuar seriozisht integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas këtyre burimeve, operacioni është ende në fazë aktive, ndërsa në orët në vijim priten edhe ndalime të reja, pasi hetuesit kanë siguruar prova materiale dhe dokumentare që ndërlidhen me dyshimet për falsifikim të rezultateve.
Hetimet po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë kompetente, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të dalin me informacione zyrtare dhe detaje shtesë sapo të përmbyllen veprimet procedurale.
Autoritetet kanë theksuar vazhdimisht se çdo përpjekje për të cenuar vullnetin e qytetarëve përmes manipulimit të votës do të trajtohet me zero tolerancë dhe në përputhje me ligjin.

