Prokuroria ka konfirmuar zhvillimin e një aksioni të gjerë hetimor në Komunën e Malishevës, që lidhet me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i Prokuroria Themelore në Gjakovë, Drini Domi, ka bërë të ditur se operacioni është në fazë aktive dhe se aktualisht po intervistohen komisionerë zgjedhorë.
“Aksioni është duke u zhvilluar në Malishevë nga Prokuroria Themelore e Gjakovës. Janë duke u intervistuar komisionerët. Pas orës 13:00 do të dalim me qëndrim zyrtar,” ka deklaruar shkurt Domi.
Sipas informacioneve paraprake, mbi 50 komisionerë zgjedhorë janë shoqëruar deri tani në kuadër të këtij operacioni, nën dyshimet se kanë ndërhyrë në procesin e administrimit dhe numërimit të votave, duke cenuar integritetin e zgjedhjeve.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje gjatë ditës, pasi të përfundojnë veprimet procedurale dhe intervistimet në terren.

