Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Apostullin Eric Kwabena Nyamekye nga Gana.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje mysafirit në Kosovë dhe shprehu mirënjohje për interesimin e tij për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republika e Kosovës dhe Republikës së Ganës.
Ai vuri në pah zhvillimin demokratik, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës, si dhe angazhimin e Qeverisë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave demokratike, karakterit shumëkulturor dhe bashkëjetesës fetare, duke i cilësuar këto si shtylla të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Kryeministri Kurti theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit dhe komunikimit me Ganën dhe vendet e tjera të Afrikës, duke shprehur gatishmëri për avancimin e bashkëpunimit në fusha si kultura, dialogu ndërfetar dhe zhvillimi ekonomik.
Apostulli Dr. Eric Kwabena Nyamekye, i cili është kryetar i Kishës së Pentekostit në Akra, ndodhet për herë të parë në Kosovë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e Parë Ballkanike të Kishës së Pentekostit, e mbajtur në Prishtinë.

