Avdullah Hoti, kandidat për kryetar të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka deklaruar se beson fuqishëm se mund ta ribashkojë partinë dhe të rikthejë figurat që janë larguar ndër vite.
Në një paraqitje në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hoti tha se në LDK ende ekziston potenciali njerëzor dhe politik, por mungon funksionimi i përbashkët.
“Aty janë të gjithë, por nuk janë funksionalë, nuk bashkëveprojnë për të prodhuar rezultat. Unë besoj se mund t’i bashkoj copat e partisë”, u shpreh Hoti.
Ai theksoi se synimi i tij është rikthimi i unitetit dhe ndërtimi i një oferte të qartë politike, në një moment që e cilësoi vendimtar për të ardhmen e LDK-së.
Përgjegjësia për humbjet zgjedhore
Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të viteve 2021 dhe 2025, Hoti pranoi se mban edhe vetë përgjegjësi, por nënvizoi se në LDK ekziston një standard politik që duhet respektuar.
“Edhe në vitin 2021 kam pasur përgjegjësi. Atëherë kryetari i LDK-së mori përgjegjësinë dhe dha dorëheqje. Ky është standard që duhet ruajtur”, tha Hoti.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore politike bie mbi kryetarin e partisë, duke rikujtuar se kjo ka qenë praktikë edhe në të kaluarën e LDK-së.
Protestat si opsion kundër rritjes së çmimeve
Në të njëjtën paraqitje, Hoti kritikoi ashpër qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e quajtur “të mbrapshtë” dhe paralajmëroi se opozita nuk do të mjaftohet më vetëm me reagime në rrjete sociale.
“Të gjitha veprimet kushtetuese dhe demokratike janë opsion, përfshirë protestat. Nuk mundet Kosova të jetë në terr në dimrin 2025/2026 dhe askush të mos mbajë përgjegjë”, deklaroi Hoti.
Ai kundërshtoi edhe diskutimet për rritje dyshifrore të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se qytetarët nuk mund të përballen me kosto të tilla pa reagim politik.
LDK pritet të mbajë Kuvendin e Jashtëzakonshëm më 31 janar, ku do të vendoset për drejtimin e ardhshëm të partisë dhe fatin politik të kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku. Ky takim shihet si një moment kyç për orientimin e ardhshëm të një prej partive historike të Kosovës.

