Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim të ngushtë me Policia e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara ndaj grupit të dytë të të dyshuarve në këtë komunë.
Hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, dyshimet kanë të bëjnë me kryerjen e veprave penale të parapara në:
-
Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me shkeljen e të drejtave të votimit, si dhe
-
Kapitullin XXXIII, që ka të bëjë me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
Prokuroria Themelore në Prizren, duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave dhe opinionit publik, ka bërë të ditur se pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarve në polici, gjatë ditës do të publikohet një komunikatë shtesë me detaje mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.
Autoritetet kanë ritheksuar përkushtimin për hetim të plotë dhe në përputhje me ligjin, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

