Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e cilësuar këtë si një goditje të rëndë për familjet kosovare dhe një barrë të papërballueshme në kushtet aktuale ekonomike.
Në një komunikatë zyrtare të publikuar sot, PDK shpreh shqetësimin se rritja e çmimeve të energjisë po vjen në një kohë kur qytetarët tashmë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës, duke thelluar edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.
Sipas PDK-së, shumë familje në Kosovë ndodhen në kufijtë e mbijetesës financiare dhe një vendim i tillë do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së qytetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për të transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët, duke theksuar se energjia elektrike është nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional.
Në këtë kuadër, PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të refuzojnë kërkesat për rritje të tarifave dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe qytetarëve të Kosovës.
PDK thekson se do të vazhdojë angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politikat që rëndojnë jetën e tyre të përditshme.

