Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të shtunën, më 31 janar 2026, në ora 10:00, do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke bërë të ditur se mbledhja e radhës e KQZ-së do ta ketë në rend dite pikërisht shpalljen e rezultateve finale.
Sipas Elezit, procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, i nisur më 13 janar, pritet të përmbyllet sonte, më 30 janar, ndërsa aktualisht kanë mbetur më pak se 50 vendvotime për t’u rinumëruar.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, partitë politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, çka më pas hap rrugën për certifikimin zyrtar të rezultateve.

