Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm tonet ndaj Irani, duke deklaruar se një forcë e fuqishme ajro-detare amerikane është tashmë në lëvizje drejt Lindjes së Mesme.
“Në këtë moment kemi një armadë të madhe, një flotilje – quajeni si të doni – që po shkon drejt Iranit, madje më e madhe se ajo që kishim gjatë krizës në Venezuelë”, tha Trump në deklarata për mediat të premten. Sipas tij, bëhet fjalë për një dislokim më të gjerë dhe me kapacitete më të mëdha ushtarake sesa mobilizimet e mëparshme.
Trump theksoi se hapat e ardhshëm do të varen nga qëndrimi i Teheranit në negociata. “Nëse arrijmë një marrëveshje me Iranin, kjo do të jetë pozitive. Nëse jo, do të shohim çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
“Po planifikoj bisedime të reja me Iranin”
Presidenti amerikan deklaroi se shpreson që përdorimi i forcës ushtarake të mos jetë i nevojshëm, megjithatë nuk e përjashtoi këtë opsion. Ai konfirmoi se kanalet e komunikimit me Iranin janë aktive.
“I kam pasur bisedimet dhe i planifikoj përsëri. Ne jemi të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht dhe tani kemi një forcë ajro-detare që po shkon drejt një vendi të quajtur Iran. Shpresoj të mos kemi nevojë ta përdorim këtë forcë”, tha Trump.
Ai paralajmëroi se “koha po mbaron” për Teheranin, duke nënvizuar se çdo veprim i mundshëm ushtarak do të ishte “i ashpër dhe shumë i gjerë”.
Reagimi i Iranit: Gati për negociata “të drejta”
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghtchi deklaroi se Irani është i gatshëm të rifillojë bisedimet me SHBA-në, por vetëm nëse ato janë të drejta dhe nuk prekin kapacitetet mbrojtëse të vendit.
“Nëse negociatat janë të drejta, Irani është i gatshëm të marrë pjesë”, tha ai në Stamboll, pas një takimi me homologun turk.
Armada amerikane në rajon
Sipas burimeve amerikane, armada detare e SHBA-së, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, ka hyrë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA-së, që përfshin Lindjen e Mesme. Grupi i goditjes përfshin aeroplanmbajtësen dhe tre destrojerë me raketa të drejtuara, si dhe avionë luftarakë F/A-18, F-35C, avionë të luftës elektronike dhe helikopterë ushtarakë.
Sipas mediave amerikane, forca detare ende nuk ka arritur pozicionin e saj final operacional, por pritet të jetë plotësisht funksionale në ditët në vijim, duke rritur më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

