Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Prishtinë është zgjeruar me staf të ri profesional dhe sot funksionon shtatë ditë në javë, duke ofruar rreth 300 vizita ditore në shtëpitë e pacientëve.
Kështu ka deklaruar shefja e këtij shërbimi, Sahadete Kelmendi, në një prononcim për Ekonomia Online.
Sipas saj, zgjerimi i shërbimit është realizuar përmes një projekti të Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të të cilit janë punësuar gjashtë mjekë të kujdesit paliativ, dy fizioterapeutë dhe një psikologe klinike, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e ofrimit të shërbimeve.
“Shërbimi i mjekimit shtëpiak ekziston që nga viti 1986, por për herë të parë sot funksionon me kapacitete të plota, shtatë ditë në javë, nga ora 07:00 deri në 19:00,” tha Kelmendi.
Prioritet pacientët me kancer dhe terapi urgjente
Kelmendi theksoi se në vitet e fundit është shënuar rritje e ndjeshme e pacientëve me sëmundje malinje, ndërsa prioritet absolut u jepet pacientëve me kancer dhe atyre që kanë nevojë për terapi urgjente.
“Pacientët me sëmundje kanceroze nuk refuzohen asnjëherë, pavarësisht orarit. Prioritet kanë edhe pacientët që marrin terapi me antibiotikë, pasi këto terapi duhet të respektojnë orare strikte,” u shpreh ajo.
Sipas të dhënave, përqindja e pacientëve me sëmundje malinje ka shënuar rritje nga 4% në 18%, krahasuar me vitet e kaluara.
Rritje e madhe e vizitave dhe shërbimeve
Krahasuar me vitin 2021, numri i vizitave është rritur për 140%, ndërsa shërbimet mjekësore për rreth 200%. Vetëm gjatë muajit dhjetor janë realizuar rreth 10 mijë vizita dhe shërbime, duke e bërë atë muajin rekord për këtë shërbim.
Ekipet e mjekimit shtëpiak ofrojnë shërbime të plota mjekësore, përfshirë:
-
ekzaminime rutinore,
-
terapi intravenoze dhe intramuskulare,
-
trajtim të plagëve,
-
oksigjenoterapi,
-
këshillim për dietë, higjienë dhe aktivitet fizik,
-
edukim të pacientëve dhe familjarëve.
Shërbim falas dhe kontaktim i drejtpërdrejtë
Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak është falas për qytetarët. Pacientët ose familjarët mund të kontaktojnë në numrat:
-
044 205 900
-
038 606 374
Thirrjet pranohen nga ora 07:00, ndërsa pacientët me terapi të vazhdueshme nuk kanë nevojë të telefonojnë çdo ditë.
Kelmendi theksoi se kapacitetet aktuale janë të mjaftueshme, por në rast fluksi të madh, pacientët selektohen sipas urgjencës, me prioritet për rastet më të rënda.EO

