Njohësi i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke i cilësuar ato si tërësisht të kundërligjshme dhe si një precedent serioz që rrezikon integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas Cakollit, përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – KQZ ka shkuar edhe më tej duke formalizuar praktikën e shpalljes së rezultateve të pjesshme, vetëm për disa subjekte politike.
“Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve”, ka theksuar ai.
Cakolli nënvizon se kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet në nivel opinioni politik, pa pretendime konkrete për shkelje ligjore dhe pa ndjekur rrugën formale të ankesës.
Ai vlerëson se ajo që ndodhi në KQZ është absurde, pasi sipas tij, çdo anëtar që kishte dyshime reale për rezultatet duhej t’i drejtohej mekanizmave ligjorë, e jo të bllokonte procesin përmes votimit politik brenda KQZ-së.
“Sistemi nuk zgjidhet me votim politik në KQZ dhe as duke lejuar ose bllokuar rezultate sipas interesave të momentit”, ka shkruar Cakolli, duke shtuar se disa anëtarë kanë zgjedhur këtë rrugë për të shmangur një epilog të qartë ligjor në PZAP apo Gjykatën Supreme.
Sipas tij, përgjegjësi direkte mban edhe kryesuesi i KQZ-së, i cili ka lejuar ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore, duke vepruar sikur KQZ ka kompetencë të vendosë se cilat subjekte hyjnë në fazën pas shpalljes dhe cilat jo.
Në fund, Cakolli paralajmëron për pasojat afatgjata të kësaj qasjeje.
“Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen po ashtu në mënyrë selektive. Në këtë mënyrë, procesi zgjedhor pushon së qeni ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve. Kjo është arbitraritet institucional, pa asnjë dilemë”, përfundon ai.

