Partia Popullore Evropiane (PPE) ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të përgatitet për ndryshime të mëdha në ekuilibrin global të pushtetit, duke përmendur rolin në rritje të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, si dhe nevojën për një BE më funksionale dhe më e bashkuar në vendimmarrje.
Kryetari i PPE-së, Manfred Weber, gjatë një konference për media në ditën e dytë të Takimit të Udhëheqësve të PPE-së në Zagreb, deklaroi se partia synon “zbatim më të mirë” të Traktatit të Lisbonës, për ta bërë BE-në më të gatshme për sfidat gjeopolitike që po vijnë.
Zgjerim i votimit me shumicë të kualifikuar
Weber theksoi se PPE mbështet zgjerimin e përdorimit të votimit me shumicë të kualifikuar edhe në fusha ku aktualisht kërkohet unanimitet, si politika e jashtme dhe e sigurisë, financat e BE-së dhe çështjet e zgjerimit. Sipas tij, mundësia që një shtet i vetëm të bllokojë vendime strategjike – siç ndodhi më herët me sanksionet ndaj Rusisë – dobëson aftësinë vepruese të BE-së.
Siguria dhe solidariteti ushtarak
Në fushën e sigurisë, PPE kërkon një plan të qartë operacional për zbatimin e klauzolës së solidaritetit ushtarak të BE-së, e cila parasheh ndihmë për një shtet anëtar në rast sulmi. Weber vlerësoi se kjo klauzolë është edhe më e fortë në formulim sesa angazhimi i Nenit 5 të NATO-s, por theksoi se mungon ende një mekanizëm praktik për zbatimin e saj.
Konkurrueshmëria, mbrojtja dhe migracioni
Axhenda strategjike e PPE-së për vitin 2026 vendos konkurrueshmërinë në krye të prioriteteve, përmes:
-
uljes së burokracisë,
-
përfundimit të tregut të vetëm,
-
diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit,
-
promovimit të inovacionit, përfshirë inteligjencën artificiale, çipat dhe bioteknologjinë.
Në mbrojtje, PPE propozon një qasje sigurie “360 gradë”, duke përfshirë prokurim të përbashkët ushtarak, forcim të industrisë evropiane të mbrojtjes dhe masa kundër kërcënimeve kibernetike dhe dezinformimit.
Sa i përket migracionit, partia mbështet rregulla më të rrepta për azilin, kthime më të shpejta dhe kufij të jashtëm më të fortë, përfshirë rol më aktiv të Frontex-it.
Strategji demografike për Evropën
PPE kërkon gjithashtu një Strategji Demografike për Evropën, përballë plakjes dhe tkurrjes së popullsisë. Weber e cilësoi ndryshimin demografik si “një nga çështjet më të rëndësishme që nuk diskutohet mjaftueshëm”, duke theksuar nevojën për mbështetje familjare, solidaritet ndërgjeneracional, rritje të pjesëmarrjes në tregun e punës dhe imigracion të menaxhuar.

