Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 36-vjetorin e rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli, duke e cilësuar atë si një nga figurat simbolike të rezistencës qytetare që i parapriu luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një mesazh përkujtimor, Kurti theksoi se Elfete Humolli u vra nga plumbat e policisë serbe dy javë pa i mbushur 17 vjet, gjatë shtypjes së përgjakshme të demonstratës së popullit në Lupç të Poshtëm.
Në ballë të demonstratave për Republikën e Kosovës
Sipas Kurtit, Elfetja, si nxënëse e Shkollës Ekonomike, kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit dhe kundër okupimit serb. Ajo ishte pjesë e brezit të nxënësve që u rreshtuan në ballë të qëndresës qytetare, duke krijuar themelet e rezistencës që më vonë u shndërrua në kryengritje të armatosur.
“Elfetja, sikurse edhe shumë nxënës të tjerë, ishte në ballë të qëndresës e rezistencës, e cila i parapriu luftës çlirimtare të bartur dhe udhëhequr nga UÇK-ja”, theksoi Kurti.
Brenga për vëllain, simbol i dashurisë familjare dhe atdhetare
Kryeministri solli në vëmendje edhe fjalët e fundit që thuhet se Elfete Humolli i ka shqiptuar para se të binte:
“Ku është Mentori? A ka shpëtuar?”, duke nënvizuar se edhe në momentet e fundit të jetës, ajo shqetësohej për vëllain e saj 13-vjeçar.
Nëntë vjet më pas, më 21 maj 1999, Mentori Humolli ra dëshmor në Koshare si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Simbol i themeleve të lirisë dhe shtetit
Kurti theksoi se Elfete dhe Mentor Humolli, motër e vëlla, përfaqësojnë sakrificën dhe flijimin e njerëzve të këtij vendi, të cilët me qëndrueshmërinë e tyre ndodhen në rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit të Kosovës.
“Ata janë pjesë e aspiratave tona për përparim shtetëror dhe kombëtar”, theksoi kryeministri.
Në fund të mesazhit, Kurti u përkul me nderim para sakrificës së tyre, duke përfunduar:
“Lavdi Elfete Humollit, lavdi Mentor Humollit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”

